
Në datë 14 mars 2016, në lulishten përpara ndërtesës qendrore të Bankës së Shqipërisë në Tiranë, u çel Java Parasë për vitin 2016, e cila do të zhvillohet në datat 14-18 mars 2016.
Gjatë kësaj jave, Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB), në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë, Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, do të organizojnë aktivitete edukative dhe ndërgjegjësuese për fëmijë dhe të rinj si: seminare, leksione, konkurse shkollore dhe televizive, vizita në banka tregtare, vizita në Muzeun e Bankës së Shqipërisë, si dhe orë të hapura mësimore. Në aktivitetin çelës të Javës së Parasë, 2016 qenë të pranishëm Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, zj. Lindita Nikolla, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë z. Blendi Klosi dhe Zëvendëskryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, z. Gazmend Kadriu.
Zëvendëskryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, z. Gazmend Kadriu, theksoi rëndësinë e edukimit financiar jo vetëm për konsumatorët ekzistues të bankave por edhe për ata potencialë, që në moshë të vogël. Për këtë, sistemi bankar është angazhuar përmes përgatitjes së materialeve edukuese, si pjesë edhe e politikave të përgjegjësisë sociale korporative.
Zëvendëskryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, Z. Kadriu, u ndal në angazhimin dhe vëmëndjen e vaçantë që AAB dhe bankat anëtare të saj, i kushtojnë Edukimit Financiar dhe jo vetëm në kuadër të Javës Globale dhe Europiane të Parasë, duke synuar që klientët e bankave të jenë të aftë të marrin vendimet e duhura financiare.
Aktiviteti i parë i javës iu dedikua fëmijëve. Në lulishten pranë ndërtesës së Bankës së Shqipërisë në Tiranë u zhvilluan aktivitete artistike dhe lojëra edukuese përmes të cilave synohet të ushqehet tek fëmijët ndjenja e kujdesit për paranë, dëshira për të kryer llogari të thjeshta dhe nevoja e kursimit si mjet për të përmbushur detyrimet dhe dëshirat e përditshme apo ato afatgjata.
Java e Parasë është një festë ndërkombëtarë mbi ndërgjegjësimin monetar të fëmijëve dhe të rinjve që zhvillohet në mbarë botën gjatë javës së dytë të marsit.