Anëtarët e Bordit Mbikëqyrës të Shoqatës Shqiptare të Bankave zhvillojnë Takimin e Verës me Guvernatorin Sejko

30/06/2021



Më datë 29 qershor 2021, anëtarët e Bordit Mbikëqyrës të Shoqatës Shqiptare të Bankave (AAB) të kryesuar nga Kryetari i saj, z. Bledar Shella dhe Sekretari i Përgjithshëm i AAB-së, z. Spiro Brumbulli, zhvilluan nje takim diskutimi me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko. Të pranishëm ishin gjithashtu Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, zj. Luljeta Minxhozi, Zëvendësguvernatorja e Dytë, zj. Natasha Ahmetaj, dhe drejtues të tjerë të Bankës së Shqipërisë. Ky takim u zhvillua në kuadër të dialogut të vazhdueshëm mes Bankës së Shqipërisë dhe industrisë bankare, mbi çështje që lidhen me aktivitetin dhe rolin e tyre në ekonomi.

Kryetari i AAB-së, z. Shella, njohu Guvernatorin Sejko me përbërjen e Bordit Mbikëqyrës të AAB-së si dhe risitë që sjell statuti i saj i ri.
Guvernatori vlerësoi sektorin bankar në veçanti për reagimin e duhur ndaj goditjes së pandemisë, i cili vijoi pa asnjë ndërprerje aktivitetin, duke financuar bizneset dhe familjet. Ai theksoi se, gjatë pandemisë, bankat kanë shfaqur angazhim maksimal dhe vullnet të mirë për të kontribuar në krijimin e lehtësive lidhur me masat e marra nga Banka e Shqipërisë dhe Qeveria Shqiptare, si dhe luajtën një rol aktiv deri në kapërcimin e plotë të situatës.

Diskutimet e këtij takimi u fokusuan në çështje të rëndësishme që po trajtohen nga sektori bankar, si: kërkesat rregullatore mbi kapitalin e bankave; çështjet e ngritura në lidhje me përmbarimin gjyqësor privat; rishikimin e primit të sigurimit të depozitave; nevojën për koordinim dhe harmonizim në lidhje me kërkesat që vijnë nga Banka e Shqipërisë; si dhe kufizimin e tërheqjes së dividendit të vitit 2020.

Një tjetër çështje më rëndësi e trajtuar gjatë takimit ishte projekti i fiskalizimit dhe pagesave. Përfaqësuesit e AAB-së, duke mbështetur zhvillimin e projekteve, shprehën edhe paqartësitë dhe problematikat e hasura nga sektori bankar në zbatimin e këtij projekti.

Guvernatori Sejko shprehu angazhimin e Bankës së Shqipërisë për të ndjekur dhe më tej çështjet e ngritura, si dhe mbështetjen ndaj përpjekjeve të bëra nga AAB.

Pjesëmarrësit vlerësuan se sektori bankar në vend mbetet solid dhe me tregues shumë të mirë të shëndetit financiar, i gatshëm për të dhënë gjithë kontributin e nevojshëm për rimëkëmbjen ekonomike. Ata dakordësuan mbi rritjen e përpjekjeve të koordinuara dhe të ndërveprimit institucional, në kuadër të nxitjes së kreditimit të ekonomisë, përmes identifikimit të investimeve potenciale, me synim rimëkëmbjen e aktivitetit ekonomik të vendit dhe rritjes së kontributit të bankave në të.

Në përfundim të takimit palët shprehën gatishmërinë për të punuar së bashku për një klimë më të mirë biznesi dhe një sektor bankar sa më të shëndetshëm dhe mbështetës të zhvillimit ekonomik të vendit.

Foto