AAB merr pjesë në Rin Camp 2023

Në datë 31 gusht 2023 u çel Rin Camp 2023, aktivitet i cili organizohet nga Ministria e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Rinisë dhe donatorët, Unicef Albania dhe World Vision Albania, në datat 31 gusht – 3 shtator në Dhërmi, Vlorë. E pranishme në aktivitet ishte dhe znj. Bora Muzhaqi, Ministre e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët.

Përfaqësuesit e AAB ishin pjesë e panelit i cili diskutoi mbi edukimin financiar të të rinjve dhe digjitalizimin. Në panel u përfshinë përfaqësues të Bankës Kombëtare Tregtare (BKT), Raiffeisen Bank, Tirana Bank si dhe Sekretari Përgjithshëm i AAB. Në një bashkëbisedim interktiv me të rinjtë pjesëmarrës, ndanë njohuritë e tyre dhe iu përgjigjën pyetjeve të audiencës mbi mundësinë e punësimit në sektorin bankar, produktet e shërbimet e dedikuara nga bankat për studentët, kryerjen e praktikave mësimore pranë bankave, mbi mundësitë që bankat ofrojnë për financimin e ideve të reja të sjella nga të rinjtë, si dhe sigurinë kibernetike të industrisë bankare. Pjesëmarrësit gjithashtu shprehën shumë interes për zhvillimet në industrinë bankare, duke e vlerësuar si një sektor atraktiv për punësimin e tyre në të ardhmen.

Përgjatë 4 ditëve, rreth 100 të rinj nga gjimnazet dhe universitetet e vendit do të informohen rreth mundësive për ndërlidhjen me tregun e punës; digjitalizimin e vendit të punës dhe arsimit; kërkimin shkencor në arsimin e lartë; strukturat studentore; zhvillimin e aftësive të lidershipit, aftësive ndër personale; si dhe do të socializohen e njihen me të rinj nga e gjithë Shqipëria. Ri Camp synon të aktivizojë dhe mbështesë ngritjen e kapaciteteve personale dhe profesionale të të rinjve, dhe fuqizimin e tyre.

GALLERY

SHARE