AAB & IDRA: Gjetjet e studimit “Besimi dhe perceptimi i klientëve në banka dhe sektorin bankar”

23/09/2019

Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) organizoi takimin për prezantimin e gjetjeve të studimit “Besimi dhe perceptimi i klientëve në banka dhe sektorin bankar”, në datën 23 shtator 2019. Të ftuar ishin përfaqësues të institucioneve shtetërore, Bankës së Shqipërisë, bashkëpunëtorë, bankave anëtare dhe media. Një studim i tillë, me fokus mbi produktet dhe shërbimet bankare, bëhet për herë të parë, duke vlerësuar në të njëjtën kohë progresin e procesit të digjitalizimit në shërbimin bankar.

Studimi i prezantuar nga stafi i IDRA analizoi rezultatet e fazës e parë dhe u bazua në plotësimin e pyetësorëve nga më shumë se 600 qytetarë klientë të bankave tregtare.
Kryetari i AAB-së, z. Silvio Pedrazzi, theksoi rëndësinë e investimit për zhvillim te kanaleve digjitale dhe jo degëve fizike te bankave, edhe pse kjo do të sjellë reduktim në numrin e degëve të bankave dhe si rrjedhojë dhe reduktim të numrit të punonjësve. Bazuar në gjetjet e studimit, bankat po përdorin rrjetet sociale si një mundësi më e mirë reklamimi, e cila ka rezultuar me kosto më të ulët, por me efikasitet më të lartë. Transparenca në shërbimin bankar është një tjetër pikë e këtij studimi dhe z. Pedrazzi theksoi rëndësinë që ka për bankat investimi në stafin e duhur dhe në përpjekjet e duhura. Z. Pedrazzi përmendi rëndësinë e edukimit financiar dhe rolin që AAB luan në këtë kuadër, duke qenë pjesë e projekteve të rëndësishme në këtë fushë.

Studimi do të vijojë me një fazë të dytë përfundimtare dhe është planifikuar të zhvillohet çdo dy vite nga Shoqata Shqiptare e Bankave.

Për më shumë informacion mbi studimin mund te vizitoni https://aab.al/publikime/

Foto