AAB: 25 VJET
Në 14 prill 1999, ligjërisht, u njoh dhe u deklarua themelimi i Albanian Bankers Club, i cili në 30 maj 2002 ndryshoi në Albanian Association of Banks /Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB).
Kanë kaluar 25 vite nga data e themelimit të AAB, një organizatë tërësisht e ndërtuar me kontributin e anëtarëve të saj, ku çdo bankë është anëtare dhe ku të gjithë mbështesin veprimtarinë e saj për rregullimet dhe ndryshimet ligjore, transformimin bankar, trajnimet dhe zhvillimin e kapaciteteve njerëzore të domosdoshme për industrinë bankare, edukimin financiar dhe komunikimin publik.
AAB, duke folur me një zë për interesat e industrisë bankare dhe zhvillimin e ekonomisë, sipas standardeve më të përparuara ndërkombëtare, është bërë partnere e pashmangshme e tavolinave institucionale, një zë më shumë nga ambienti i brendshëm kundrejt institucioneve shtetërore, institucioneve mbikëqyrëse dhe institucioneve ndërkombëtare. Kështu ajo është rritur në vite dhe ka fituar respekt, bashkëpunim dhe vlerësim për pjesëmarrjet në veprimtari të ndryshme, për propozime dhe sugjerime të dhëna, për përfaqësim të industrisë, për komunikimin me publikun dhe median, për cilësinë e trajnimeve, për profesionalizmin e treguar kudo dhe për çdo gjë!
AAB është rritur në 25 vite sipas modeleve më të mira ndërkombëtare, duke qenë një organizatë shumë dinamike dhe shumë mirë e orientuar në vizionin dhe strategjinë e vet. Ajo është anëtare e disa bordeve kombëtare dhe është gjithashtu anëtare e asociuar e Federatës Evropiane të Bankave.
AAB publikon rregullisht aktivitetin e saj vjetor, duke qenë tërësisht transparente me anëtarët, rregullatorët dhe publikun.
Për këdo që është i interesuar të mësojë më shumë rreth arritjeve të saj në vite, është i lutur të shfletojë dokumentet e publikuara në faqen e AAB: aab.al
25 vjetori do të festohet me një ceremoni gala në datën 13 maj 2024.