Zhvillon punimet Konferenca e 2-të e AAB-së “Bankat dhe rritja ekonomike”

16/11/2017

14 tetor 2017 – Shoqata Shqiptare e Bankave organizoi konferencën e saj të dytë me temë: “Bankat dhe rritja ekonomike”. Konferenca u ndoq nga: Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Edi Rama; Ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Arben Ahmetaj; Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko. Zëvendës Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enis Aliko dhe këshilltari i Ministrit të Drejtësisë morën pjesë në panelet e diskutimit. Të pranishëm gjithashtu ishin nga Banka e Shqipërisë, Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare, institucione financiare jo banka, drejtues të bankave dhe përfaqësues të lartë të sektorit bankar. Në konferencë morën pjesë, gjithashtu, përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare si FMN, Banka Botërore, BERZH dhe përfaqësues të EFSE Development Facility (EFSE DF) (sponsorit kryesor të konferencës). Aktiviteti u ndoq nga media në pjesën hapëse.

Punimet e konferencës u hapën me fjalët përshëndetëse të Kryetarit të AAB-së, z. Periklis Drougkas; Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko; dhe Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Edi Rama.

Fjala e plotë e Kryetarit të AAB-së, z. Periklis Drougkas;

Fjala e plotë e Guvernatorit Sejko

Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Edi Rama.

Folësit e përzgjedhur referuan gjatë tre sesioneve të cilat u moderuan me sukses nga z. Periklis Drougkas, Kryetari i AAB-ës dhe Drejtor i Përgjithshëm i Alpha Bank Albania; Z. Seyhan Pencabligil, Drejtor i Përgjithshëm dhe anëtar bordi BKT; Z. Dritan Mustafa, Drejtor i Përgjithshëm i Tirana Bank and z. Jonathan Wheatley, IFC.

Sesioni i parë i konferencës iu kushtua kontributit të bankave në rritjen ekonomike. Z. Mike Edwards, këshilltar për Praktikat Globale Financiare dhe Tregjet në Banka Botërore, solli për të pranishmit një panoramë globale mbi kontributin e bankave në ekonomi. Z. Dejan Vasiljev, ekonomist kryesor në Sektorin e Institucioneve Financiare (Evropa Qendrore dhe Juglindore), BERZH, trajtoi rolin dhe kontributin e bankave në rajon duke krahasuar atë situatë me sektorin bankar shqiptar. Z. Alin Dumitrescu-Dragan, Menaxher Projekti, McKinsey&Company, prezantoi temën: “E ardhmja e veprimtarisë bankare”. Një panoramë makro 5-vjeçare dhe një paraqitje e rritjes afatshkurtër kundrejt asaj afatgjatë, u prezantua nga z. Erald Themeli, Drejtor i Departamentit të Politikave Monetare në Bankën e Shqipërisë. Z. Stjepan Anić, Drejtor i shoqërisë Op2M, bëri të njohur për pjesëmarrësit në konferencë gjetjet dhe rekomandimet nga studimi i kryer “Kontributi i bankave në ekonominë dhe shoqërinë shqiptare”.

Gjatë sesionit të dytë, diskutimet u fokusuan në krijimin e sinergjisë për bashkëpunim dhe financim të ekonomisë shqiptare. Ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Arben Ahmetaj prezantoi rëndësinë e buxhetit publik në zhvillimin e ekonomisë. Zj. Sedef Yavuz Noyan, Drejtore në Departamentit të PPP-ve, Ministria e Zhvillimit në Turqi, solli eksperiencën e partneritetit publik privat në vendin që ajo përfaqëson.

Në sesionin e tretë u trajtua rigjallërimi i rritjes së kreditimit. Paneli i diskutimit u fokusua tek temat si: përqendrimi tek ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për zhvillimin ekonomik dhe social të Shqipërisë; bankingu i NVM-ve si një segment i gjerë dhe unik; të kuptuarit e nevojave dhe objektivave të ndryshme; krijimi i qasjes dhe shfrytëzimit të lidhjeve, zgjidhjeve dhe përvojës për të ndihmuar biznesin; mundësitë për të rritur biznesin nëpërmjet diferencimit të produkteve të reja dhe kanaleve efektive të shitjeve, etj.

Tregu i NPL-ve në Shqipëri dhe prezantimi i praktikave më të mira ishte në fokus të diskutimit të panelit të fundit në këtë konferencë. Diskutimet u përqendruan në kuadrin ligjor dhe rregullator të NPL-ve; sfidat e legjislacionit tatimor; tregun shqiptar të pasurive të paluajtshme dhe procedurat përmbarimore, etj.