Zhvillon punimet Forumi për Veprimtarinë Bankare për Individë

23/02/2017

Në datën 21 Shkurt 2017, Shoqata Shqiptare e Bankave organizoi Forumin “Veprimtaria bankare për individë” (Retail Banking). Në Forum morën pjesë ekspertë të fushës nga bankat që operojnë në Shqipëri si dhe ekspertë ndërkombëtarë, përfaqësues të Bankës së Shqipërisë, institucioneve dhe shoqërive të tjera publike, Shoqatës së Bankave të Kosovës, etj.

Në fjalën e hapjes, z. Silvio Pedrazzi, Zëvendës Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Bankave dhe CEO i Intesa Sanpaolo Bank Albania, cilësoi këtë forum si një platformë për të shkëmbyer eksperienca si nga pikëpamja e vizionit të veprimtarisë bankare për individë, ashtu edhe mbi arritjet dhe vështirësitë konkrete për ecjen përpara. Z. Pedrazzi u ndal në prioritetet që bankat kanë sot duke evidentuar ndër to rritjen e shërbimit ndaj klientit si rrjedhojë e zhvillimeve në teknologji si dhe përputhshmërinë me ndryshimet në kuadrin ligjor dhe rregullator.

Gjithashtu, ai shtoi se ekzistenca dhe zhvillimi i kompanive FINTECH nuk janë kërcënim për industrinë bankare, por një mundësi për zhvillim dhe bashkëpunim.

Vetëm për vitin 2016, bankat kanë investuar rreth 16 milionë euro në IT dhe ato kanë planifikuar mbi 19 milionë euro për vitin 2017. Këto shifra tregojnë qartë se teknologjia e informacionit dhe digjitalizimi janë pjesë e strategjisë dhe zhvillimit të bankave përkrah prirjeve bashkëkohore.
Aktiviteti u organizua në tre seksione, gjatë të cilëve të ftuarit diskutuan dhe debatuan në panele të ndryshme.

Në seksionin e parë, moderuar nga z. Fatih Karli, përfaqësues i Bankës Kombëtare Tregtare, folësit nga shoqëri prestigjioze si McKinsey Panorama, Pricewaterhoues Coopers (PwC) dhe Federata Bankare Evropiane (EBF) ndanë më të pranishmit në Forum vështrimin e tyre mbi zhvillimin e bankingut për individë në botë dhe në rajon si rezultat i zhvillimit të teknologjisë dhe ndryshimit të sjelljes së klientëve. Ky seksion kishte të bënte me vizionin dhe strategjitë e zhvillimit të bankingut individual nga industria bankare.

Seksioni i dytë u moderua nga z. John McNaughton, Raiffeisen Bank. Pjesëmarrësit në panel nga Banka Botërore, Shoqata Kroate e Bankave, Banka e Shqipërisë, Ministria e Inovacionit dhe Administratës Publike si dhe institucioneve të tjera publike diskutuan mbi rreziqet e sigurisë informatike, rëndësinë e ngritjes së byrosë së kredisë, situatën konkrete në vend dhe se çfarë mund të bëhet më mirë në të ardhmen në mënyrë që t’i krijohen industrisë bankare kushte më të favorshme për zhvillime më të shpejta dhe të sigurta të veprimtarisë bankare për individë.

Në seksionin e tretë, moderuar nga z. Bledar Shella, Societe Generale Albania, përfaqësues të bankave që operojnë në vend sollën eksperiencat e tyre në zhvillimet për bankingun me individët.

Ky aktivitet ishte një vijimësi e Konferencës mbi digjitalizimin e veprimtarisë bankare organizuar vitin e kaluar nga AAB. Shoqata Shqiptare e Bankave i kushton rëndësi të veçantë zhvillimeve të reja në industrinë bankare si për sensibilizimin e shoqërisë dhe industrisë, ashtu edhe për ballafaqimin e biznesit bankar me prirjet dhe përvojat në rajon dhe më gjerë.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedIn