Generic selectors
Exact matches only
Search in title
Search in content
Zhvillon punimet forumi me temë “Edukimi financiar për përfshirjen financiare”

Në datën 29 qershor 2018, zhvilloi punimet forumi me temë “Edukimi financiar për përfshirjen financiare”. Kjo veprimtari u organizua nga Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB)  në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë dhe me mbështetjen e Bursës Shqiptare të Titujve (ALSE), Shoqatës së Tregëtimit të Titujve në Shqipëri (ASTA) dhe Shoqatës Shqiptare të Mikrofinancës (AMA). Në këtë forum, pjesëmarrës ishin përfaqësues nga Banka e Shqipërisë, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, institucioneve të tjera publike, shoqata të ndryshme, organizata jo – fitimprurëse, rrethe akademike në vend, përfaqësues të sektorit bankar e financiar, përfaqësues të medias, etj.

Gjatë punimeve të forumit, u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të një Memorandumi Bashkëpunimi, ndërmjet Shoqatës Shqiptare e Bankave, Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë, Shoqatës Shqiptare të Mikrofinancës, Shoqatës së Siguruesve të Jetës, Pensioneve dhe Fondeve të Investimeve, Shoqatës së Tregtimit të Titujve në Shqipëri, Bursës Shqiptare të Titujve ALSE, Junior Achievement of Albania, Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim dhe Shërbimit Kombëtar për Rininë.

Ky memorandum synon krijimin e Rrjetit Shqiptar për Edukimin Financiar[1] dhe rritjen e bashkëpunimit dhe e koordinimit ndërinstitucional në fushën e edukimit financiar.

Konceptuar në dy sesione, punimet e forumit u hapën me fjalët përshëndetëse të z. Silvio Pedrazzi, Kryetar i AAB-së,  z. Ervin Demo, Ministër i Edukimit, Sportit dhe Rinisë, dhe  znj. Natasha Ahmetaj, Zëvendës Guvernator i Dytë, Banka e Shqipërisë.

Gjatë fjalës së tij, z. Pedrazzi u shpreh se promovimi i përfshirjes financiare nënkupton marrjen e veprimeve që rezultojnë në përmirësimin e aksesit në shërbimet e ofruara nga sektori financiar. Kjo është një përgjegjësi e të gjithëve: partive, qeverisë, sektorit privat dhe shoqërisë. Secili prej nesh ka një rol për të luajtur! Z. Pedrazzi shtoi se fuqizimi i përfshirjes financiare duhet të bëhet përmes edukimit financiar.

Sesioni i parë trajtoi progresin, sfidat dhe mundësitë, në lidhje me përfshirjen financiare. Pjesëmarrës në këtë sesion Mimoza Kaçi, Zëvendës Drejtor i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Oya Pinar Ardic, kryespecialiste e sektorit financiar në Grupin e Bankës Botërore,  Brian J. Williams, koordinator vendor i UN,  Giovanna Paladino, drejtuese e Muzeut të Kursimeve të Intesa Sanpaolo, Itali, dhe Altin Tanku, drejtues i Departamentit të Kërkimeve në Bankën e Shqipërisë. Në prezantimet gjatë këtij sesioni ndër të tjera u theksua rëndësia e strategjive kombëtare për të promovuar dhe koordinuar përpjekjet për përfshirje financiare. Ky sesion u drejtua nga Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i AAB-së.

Gjatë sesionit të dytë, organizuar nën moderimin e Suela Bala, Drejtore e Përgjithshme e Junior Achievment Shqipëri, të pranishmit patën mundësi të diskutojnë lidhur me rolin dhe kontributin e institucioneve dhe shoqërisë në edukimin financiar.

Beatriz Morilla, drejtuese e CSR, Shoqata Bankare në Spanjë (Spanish Banking Association), në prezantimin e saj solli eksperiencën ndërkombëtare në lidhje me çështjen e trajtuar.

Në vijim, paneli i diskutimit, i përbërë nga Ledia Bregu, drejtuese e Departamentit të Sistemeve të Pagesave, Kontabilitetit dhe Financës në Bankën e Shqipërisë, Zana Konini, nga Shoqata Shqiptare e Mikrofinancës, Junida Tafaj, Oficere Operacionesh në AAB, dhe Lauresha Basha, drejtuese e Departamentit të Marketingut në bankën Credins, diskutuan mbi eksperiencën e institucioneve të tyre në fushën e edukimit financiar.

Në mbyllje të punimeve të këtij forumi u theksua që edukimi financiar është një komponent vendimtar për fuqizimin e konsumatorëve dhe investitorëve. Përgjegjësia për marrjen e të gjithë njohurive të nevojshme financiare për të bërë zgjedhje të informuara është një përgjegjësi e përbashkët midis shumë palëve të interesit: individëve, familjeve, qeverisë, sektorit të arsimit, sektorit të shërbimeve financiare, punëdhënësve, dhe organizatave të punës.

[1]  Qëllimi i Rrjetit për Edukimin Financiar është krijimi i një forumi në të cilën anëtarët bashkojnë forcat e tyre për të realizuar një edukimin financiar të përgjegjshëm në Shqipëri – me qëllim përfundimtar – përmirësimin e njohurive mbi edukimin financiar pothuajse në të gjitha grup moshat e shoqërisë sonë, si dhe për sipërmarrësit, bizneset e vogla dhe të mesme dhe shoqëritë tregtare të mëdha (korporatat).