Zhvillon punimet Forumi i Kartave

04/05/2018



Në datë 4 maj 2018 zhvilloi punimet Forumi i Kartave, organizuar nga Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB), me temë: “Rritja e përdorimit të kartës si instrument pagese”. Ky forum u organizua me mbështetjen e PayLink dhe Asseco. Të pranishëm në forum ishin përfaqësues nga institucionet shtetërore, nga banka qendrore, nga bankat tregtare, nga shoqëritë financiare jo banka, nga institucione financiare ndërkombëtare, shoqëri private, organizata biznesi, shoqata e bankave të Greqisë dhe Kosovës, etj.

Për herë të parë AAB solli me këtë forum një risi në organizimin e tij, duke e konceptuar në dy sesione, secili në format paneli duke synuar përcjelljen e drejtpërdrejtë të problematikave në lidhje me tematikën.

Punimet e forumit u hapën me fjalët përshëndetëse të Kryetarit të AAB-së, z. Silvio Perdrazzi, i cili u shpreh se përmirësimi i përdorimit të kartave, të kreditit ose debitit, si instrument i pagesës është një kontribut i pazëvendësueshëm në luftën kundër informalitetit, lehtëson koston e parasë në qarkullim sepse bën fjalë për shkuarjen drejt një ekonomie me sa më pak cash, siguron një paketë të plotë dhe të mbyllur për shërbimet që i ofrohen klientit dhe rrit sigurinë në qarkullim të individëve.

Fjalimi kryesor u mbajt nga znj. Elisabeta Gjoni, Zëvendësguvernatore e Parë e Bankës së Shqipërisë dhe Kryetare e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave. Z. Gjoni falënderoi të gjithë aktorët për  përpjekjet  dhe energjitë e kanalizuara për të mundësuar që kartat të jenë një nga instrumentet e pagesave më familjare për publikun shqiptar në përditshmërinë e tyre. Znj. Gjoni njohu të pranishmit me planet dhe projektet e Bankës së Shqipërisë në zhvillimin në përgjithësi të pagesave dhe në veçanti për kartat.

Sesioni i parë mblodhi në një tryezë diskutimi: znj. Albana Shkurta, Zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë; znj. Vasilika Vjero, Drejtor i Përgjithshëm, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve; z. Zak Topuzi,  Kryetar i Sektorit të Hotelerisë, Shoqata Shqiptare e Turizmit; z. Vasilis Panagiotidis, Drejtor i Pagesave, Shoqata Greke e Bankave; znj. Ana Markovic nga VISA dhe znj. Lira Murra përfaqësuese e Mastercard. Nën moderimin e Sekretarit të Përgjithshëm të AAB-së, ky sesion identifikoi disa prej arsyeve kryesore që qëndrojnë pas vëllimit të pagesave aktuale me kartë dhe pranimit të kufizuar të kartave në Shqipëri. Panelistët theksuan domosdoshmërinë e përdorimit të pagesave me kartë si një mjet i luftës kundër informalitetit dhe uljes së cash-it në ekonomi.

Sesioni i dytë i konferencës trajtoi mundësitë për rritjen e përdorimit të pagesave me kartë. Pjesmarrës në panel: z. Fatih Karli, Drejtor i Grupit të Bankingut Individual, Banka Kombëtare Tregtare; znj. Nataliia Kochu, përfaqësuese e VISA; z. Andras Meth, përfaqësues i Mastercard; z. Dritan Mollanji, Këshilltar nga PayLink; znj. Linda Shomo, CEO & themeluese e Easy Pay, dhe z. Eltion Koci, Drejtor i Thesarit nga Grupi Balfin; të cilët diskutuan si të bëjmë të mundur ndryshimin e sjelljes së kartëmbajtësve dhe zgjerimin e kapacitetit të tyre të blerjes me kartë. Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve bankare dhe atyre jo-banka për të rritur përdorimin e kartave dhe praktikat më të mira që mbulojnë të tre fushat e pranimit të pagesave në pikën tregtare të shitjes: në dyqan, në internet dhe celular ishin temat e trajtuara gjatë këtij sesioni. Sesioni u moderua nga znj. Nevila Kovaçi, kryetare e Komitetit të Kartave në AAB.

Gjatë punimeve të forumit, përfaqësues të dy kompanive të cilat mbështetën organizimin e tij, prezantuan të rejat që ato sjellin në fushën e kartave.

Shoqëri të ndryshme që janë të lidhura me kartat, patën mundësi të bëjnë prezantime të tyre gjatë pushimit midis dy sesioneve.

Forumi u mbyll me fjalën e z. Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i AAB-së, i cili ftoi aktorët në treg të përfshihen në një fushate edukuese me qëllim ndërgjegjësimin për rritjen e përdorimit të kartës si instrument pagese, si dhe angazhimin që problematikat e evidentuara në këtë Forum të ndiqen nga AAB në muajt në vazhdim.