Zgjidhet Kryetari i ri i Shoqatës Shqiptare të Bankave

16/12/2016

14 Dhjetor 2016 – Asambleja e Anëtarëve të Shoqatës Shqiptare të Bankave (AAB), zhvilloi mbledhjen e radhës, në të cilën u mbajtën dhe zgjedhjet, sipas statutit, për 3 (tre) anëtarë të Bordit Drejtues si edhe Kryetarit dhe nën Kryetarit të ri. Këto zgjedhje vinin si rezultat i mbarimit të mandatit të 3 prej anëtarëve të Bordit Drejtues.

Anëtarët e zgjedhur janë:
Z. Silvio PEDRAZZI, Drejtor i Përgjithshëm, Intesa Sanpaolo Bank Albania
Z. Dritan MUSTAFA, Drejtor i Përgjithshëm, Tirana Bank
Z. Andi BALLTA, Drejtor i Përgjithshëm, American Bank of Investments

Asambleja votoi gjithashtu edhe për zgjedhjen e z. Periklis Drougkas, Drejtor i Përgjithshëm i Alpha Bank Albania, si Kryetar të Shoqatës Shqiptare të Bankave dhe z. Silvio Pedrazzi, Drejtor i Përgjithshëm, Intesa Sanpaolo Bank Albania, si nënkryetar i saj.

Z. Drougkas zëvendëson në këtë funksion z. Christian Canacaris, Drejtor i Përgjithshëm i Raiffeisen Bank në Shqipëri.

Më poshtë do të gjeni një përmbledhje të shkurtër të arritjeve profesionale të z. Drougkas:

Z. Periklis Drougkas është Drejtor i Përgjithshëm i Alpha Bank Albania që prej vitit 2012. Karrierën me Alpha Bank e ka filluar në Mars 2008 si Drejtor i Biznesit Bankar me Pakicë pranë Alpha Bank Serbia. Ai vjen nga një eksperiencë e gjatë në fushën e shërbimeve bankare dhe ka mbajtur pozicione të ndryshme drejtuese në Citibank, Agricultural Bank of Greece, ING Bank, Egnatia Bank dhe EFG Eurobank.
Ai është anëtar i Shoqatës së Bizneseve Greke, i Shoqatës Shqiptare të Bankave dhe Greek Chamber of Economists. Z. Drougkas ka përfunduar Universitetin e Shkencave Ekonomike dhe Biznesit në Athinë. Ai flet gjuhën Greke, Angleze dhe Italiane.