Tryezë diskutimi mbi Rregulloren e Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave

29/05/2018

Në datë 29 maj 2018, Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) organizoi një tryezë diskutimi me fokus Rregulloren e Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave (GDPR). Përfaqësues të Raiffeisen Bank prezantuan ndryshimet dhe kërkesat kryesore të rregullores në fjalë si dhe ndanë me të pranishmit eksperiencën e tyre në zbatim të këtyre kërkesave. Veprimtaria u ndoq nga përfaqësues të departamenteve të përputhshmërisë, ligjorit dhe teknologjisë së informacionit nga bankat anëtare. General Data Protection Regulation – GDPR apo Rregullorja e Përgjithshme e Mbrojtjes së të Dhënave, është rregullorja e BE-së që ka hyrë në fuqi nga data 25 maj 2018 dhe ka për qëllim përpunimin e unifikuar dhe të barabartë të të dhënave personale të shtetasve të BE-së (përfshirë gjithashtu shtetet e zonës ekonomike evropiane: Islanda, Lihtenshtejni, Norvegjia dhe Zvicra), e që realizohet nga subjektet në kuadër të një marrëdhënie biznesi. Në vështrim të përgjithshëm, risia kryesore e rregullores është juridiksioni i zgjeruar i saj. Konkretisht, detyrimin për zbatimin e rregullores e kanë të gjitha organizatat publike, apo private, të cilat, pavarësisht vendndodhjes së tyre, mbajnë, apo përpunojnë të dhëna personale të shtetasve të BE-së.