Takim i Kryetarit të AAB-së me përfaqësues të medias

24/04/2019

Ditën e mërkurë, më datë 24 prill, në ambientet e Shoqatës Shqiptare të Bankave (AAB), me ftesë të Kryetarit z. Silvio Pedrazzi dhe në praninë e Sekretarit të Përgjithshëm z. Spiro Brumbulli, u zhvillua takimi me përfaqësuesit e medias, përgjegjës për transmetimin e lajmit ekonomik. Takimi u zhvillua në kuadër të krijimit të marrëdhënieve të frytshme dhe të qëndrueshme me median dhe koordinimin me qëllim informimin sa më të mirë të publikut.

Në fjalën e tij z. Pedrazzi vuri në dukje se AAB është e angazhuar në sqarimin e disa çështjeve të diskutuara në media së fundmi, në lidhje me veprimtarinë e bankave në monedhë të huaj. Duke pasur parasysh publikimin e informacionit të deritanishëm në media, z. Pedrazzi bëri një prezantim të procesit të menaxhimit të likuiditetit, sidomos në monedhë të huaj, duke theksuar aspekte të ndryshme të procesit si p.sh. likuiditeti i përkohshëm, respektimi i kufizimeve ligjore në lidhje me transportin e vlerave monetare te bankat mëmë, depozitimet, investimet në letrat me vlerë dhe financimet e korporatave në vende të huaja.

Me rëndësi për AAB-në, theksoi z.Pedrazzi, në këtë moment, është që bankat do të vijojnë të ofrojnë shërbimin e depozitimit në monedhë të huaj, dhe sigurojnë në këtë mënyrë një vijim normal të procesit. Përfaqësuesit e medias shprehën interesin e tyre mbi çështje në lidhje me transportin e vlerave monetare, cash-it në ekonomi dhe informalitetit dhe z. Pedrazzi u tregua i hapur për çdo pyetje të ngritur nga ata. Takimi u vlerësua si një mjet komunikimi efektiv.

Foto