Shoqata Shqiptare e Bankave organizon konferencën me temë “Bankat për zhvillim të qëndrueshëm”

14/05/2019

Në datën 14 maj 2019 u zhvillua Konferenca e 3-të e AAB-së me temë “Bankat për zhvillim të qëndrueshëm”. Në këtë konferencë, pjesëmarrës ishin përfaqësues nga bankat anëtare. Gjithashtu, morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Banka e Shqipërisë, Banka Botërore, UNEP FI, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, (BERZH), Banka Evropiane e Investimeve, Federata Evropiane Bankare, shoqatat e bankave të rajonit, përfaqësues të organizatave jo-fitimprurëse dhe rretheve akademike dhe media.

Konferenca u çel nga z. Silvio Pedrazzi, Kryetar i AAB-së dhe Drejtor i Përgjithshëm i Intesa Sanpaolo Bank Albania, si dhe u përshëndet nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko.

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, në fjalën e mbajtur për të pranishmit, duke nënvizuar progresin e bërë, theksoi se zhvillimi i sektorit bankar – dhe i sistemit financiar në përgjithësi – nuk ka qenë linear: sfidat me të cilat ai është përballur kanë qenë të vazhdueshme dhe të formave të ndryshme. Këto sfida kanë kërkuar kujdes dhe vendimmarrje aktive, inteligjente e kurajoze. Ai shprehu bindjen se eksperienca e përbashkët do të ndihmojë në vendimmarrjen në të ardhmen.

Me tej, konferenca u organizua në dy panele. Paneli i parë u drejtua z. Seyhan Pencabligil, Drejtor i Përgjithshëm dhe Anëtar Bordi, Banka Kombëtare Tregtare, dhe u përqendrua në rolin dhe përgjegjësitë për një të ardhme të qëndrueshme. Znj. Puleng Tumelo Ndjwili-Potele, Koordinatore për Projektet Bankare, UNEP FI, prezantoi “Parimet për Bankingun e Përgjegjshëm: Një mjet për udhëhequr kreditimin që kontribuon në zhvillimin e qëndrueshëm”. Z. Dejan Vasiljev, ekonomist kryesor, BERZH, u fokusua tek financat dhe rritja e qëndrueshme.

Z. Sebastien de Brouwer, Oficer i lartë për politikat, Federata Evropiane Bankare, foli mbi rolin e bankave në financimin e qëndrueshëm dhe perspektivën evropiane. Z. Alessandro Bragonzi, përfaqësues i EIB-së për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë Veriore, solli eksperiencën se si grupi i EIB-së financon një të ardhme të qëndrueshme. Bankat në botën sfiduese të ndërmjetësimit financiar u prezantua nga z. Milan Mirjanic, Partner i Asocuar i McKinsey.

Pjesëmarrësit në panelin e dytë të konferencës trajtuan sfidat e bankingut në rajon nën moderimin e z. Sebastien de Brouwer, Oficeri i lartë për politikat në Federatën Evropiane Bankare. Më konkretisht, z. Pierfrancesco Gaggi, Drejtues i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Shoqata e Bankave në Itali, prezantoi zhvillimin e sektorit bankar për përforcimin e rimëkëmbjes. Z. Vladimir Vasic, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Bankave të Serbisë, solli eksperiencën e Serbisë mbi tregun e NPL-ve dhe rritjen e kreditimit, dhe znj. Charikleia Apalagaki, Sekretare e Përgjithshme e Shoqatës Helenike të Bankave prezantoi këndvështrimin mbi qeverisjen dhe balanca ndërmjet efektivitetit dhe sigurisë në Greqi. Konsolidimi i sektorit bankar shqiptar u prezantua nga z. Silvio Pedrazzi, Kryetar i AAB-së dhe Drejtor i Përgjithshëm i Intesa Sanpaolo Bank Albania, i cili mbylli dhe punimet e kësaj konference.