Njoftim për shtyp – Takim diskutimi midis BSH dhe AAB

22/02/2017

Takim diskutimi i Bankës së Shqipërisë me Shoqatën Shqiptare të Bankave (AAB)

Në datën 15 shkurt 2017, në ambientet e Bankës Shqipërisë u mbajt një takim diskutimi midis Bankës së Shqipërisë dhe Bordit Drejtues të Shoqatës Shqiptare të Bankave. Të pranishëm ishin: Guvernatori të Bankës së Shqipërisë z. Gent Sejko, Zëvëndësguvernatorja e dytë e Bankës së Shqipërisë zj. Natasha Ahmetaj, drejtues të tjerë të Bankës së Shqipërisë, Kryetari i Bordit Drejtues të AAB-së dhe Drejtor i Përgjithshëm i Alpha Bank Albania, z. Periklis Drougkas, anëtarët e tjerë të këtij Bordi, si dhe z. Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i AAB-së.

Qëllimi kryesor i këtij takimi ishte intensifikimi i dialogut dhe bashkëpunimit midis palëve, për çështje të lidhura veçanërisht me sigurinë e zhvillimit të aktivitetit bankar, nisur edhe nga ngjarjet e ndodhura së fundmi gjatë transportimit të vlerave monetare, si dhe për të diskutuar mbi aktivitetin financiar, kreditues dhe operacional të sistemit bankar.

Në fillim të takimit, nga të gjithë pranishmit u përgëzua zbardhja e autorëve të grabitjes së vlerave monetare të bankave dhe puna intensive e kryer nga Policia e Shtetit në këtë drejtim. Më tej, u diskutua për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis bankave dhe institucioneve përkatëse për rishikimin e masave të sigurisë në aktivitetin bankar dhe transportimin e vlerave monetare me qëllim plotësimin dhe përmirësimin të tyre, për të shmangur përsëritjen e ngjarjeve të tilla në të ardhmen. Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu mbi rritjen e përpjekjeve të koordinuara dhe të ndërveprimit institucional në kuadër të nxitjes së kreditimit të ekonomisë, përmes identifikimit të investimeve potenciale të shëndetshme, me synim përshpejtimin e aktivitetit ekonomik të vendit dhe rritjes së kontributit të bankave në të. Gjithashtu, rëndësi e veçantë iu kushtua edukimit financiar për ndërgjegjësimin e publikut, si dhe ruajtjes së imazhit të sistemit bankar, duke theksuar ndikimin e bankave si në sistemin financiar ashtu dhe në ekonominë e vendit.

Në përfundim, përfaqësuesit e Shoqatës Shqiptare të Bankave siguruan se do të vazhdojë të ketë një bashkëpunim maksimal me Bankën e Shqipërisë dhe me autoritetet qendrore dhe vendore për një sektor bankar sa më të shëndetshëm dhe mbështetës të zhvillimit ekonomik të vendit.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedIn