Njoftim për Shtyp – Falenderim për Ministrinë e Punëve të Brendshme

15/02/2017

15 shkurt 2017 – Shoqata Shqiptare e Bankave, si gjithë opinioni publik, u njoh me komunikatën e Ministrisë së Punëve të Brendshme të datës 14 shkurt mbi zbulimin dhe arrestimin e katër prej gjashtë autorëve të aktit kriminal të grabitjes së eskortës që transportonte vlera monetare në datën 9 shkurt në rrugën drejt Rinasit.

Shoqata Shqiptare e Bankave, në mbështetje të plotë të strukturave përgjegjëse të shtetit, falënderon publikisht autoritetet shtetërore që bënë të mundur arrestimin e autorëve të këtij akti brenda një kohe mjaft të shkurtër. Kjo është përgjigja e denjë që Drejtoria e Policisë i jep çdo keqbërësi dhe krimineli. Gjetja e autorëve është një inkurajim i madh për forcën e policisë jo vetëm për industrinë bankare, por për të gjithë ekonominë dhe shoqërinë, një sinjal dhe mesazh pozitiv dhe i mirëpritur edhe për të gjithë partnerët, bashkëpunëtorët dhe dashamirësit tanë përtej kufijve.

Arrestimi i autorëve dekurajon elementin keqbërës. Kjo forcë zbuluese dhe eficiente, e koordinuar dhe plotësuar edhe me rregullimet e tjera ligjore nga institucionet përgjegjëse dhe të gjithë aktorët pjesëmarrës në transportimin e vlerave monetare, është përgjigja më e mirë dhe rruga e duhur për të mos lejuar përsëritjen e këtyre akteve në të ardhmen.

Shoqata Shqiptare e Bankave, duke falënderuar dhe përgëzuar sinqerisht Ministrinë e Punëve të Brendshme për këtë arritje dhe duke mbështetur institucionet shtetërore në eficencën e punës së tyre, siguron mbështetjen dhe kontributin e saj në përmirësimin e situatës dhe rritjes së sigurisë. Sektori bankar është i shëndetshëm, i sigurt dhe do të vazhdojë të kontribuojë në zhvillimin e ekonomisë.