Nënshkruhet Memorandum Bashkëpunimi në kuadër të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës

26/01/2017

26 Janar 2017 – Ministria e Mirëqenies Sociale nënshkruan një memorandum bashkëpunimi me 14 kompanitë publike dhe private në kuadrin e Programit Kombëtar të Punësimit. Marrëveshja parashikon mundësinë e kryerjes së praktikave të punës me qëllim fitimin e eksperiencës në punë dhe zhvillimin e njohurive profesionale të studentëve të diplomuar, ku, pas përfundimit me sukses të programit, do të synohet mundësia e punësimit nga këto shoqëri.

Në ceremoni ishin të pranishëm Zëvendës Kryeministri Niko Peleshi, ministri Blendi Klosi, përfaqësues të shoqërive që nënshkruan marrëveshjen, si dhe studentët të cilët kanë qenë pjesë e programit “Praktika e Punës 2016”.

Z. Periklis Drougkas, Kryetari i Shoqatës së Bankave dhe Drejtor i Përgjithshëm i Alpha Bank Albania, në emër të bankave pjesëmarrëse, përshëndeti të pranishmit dhe shprehu angazhimin për të ofruar një përvojë kualifikuese që ndikon në zhvillimin e aftësive profesionale të të rinjve për një karrierë të suksesshme.

Ministri Klosi, në fjalën e tij vlerësoi mbështetjen e shoqërive të përfshira në program dhe përpjekjet e tyre për të transformuar praktikën profesionale në një punë të përhershme, si një mundësi karriere për studentët.