Nënshkruhet marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet AAB-së dhe AIIA-s

26/12/2018

Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) dhe Instituti Shqiptar i Auditorëve të Brendshëm (AIIA), në datën 21 dhjetor 2018, nënshkruan marrëveshje  bashkëpunimi midis tyre. Kjo marrëveshje përcakton fushat e bashkëpunimit mes dy palëve, si dhe mënyrat e ndërveprimit ndërmjet tyre, për: koordinimin e iniciativave të përbashkëta dhe krijimin e kushteve të favorshme për zhvillimin e sektorit bankar; shkëmbimin e përvojave profesionale në fushat përkatëse të interesit të përbashkët, duke përfshirë trajnime të përbashkëta në fushat e auditimit, menaxhimit të rrezikut, kontrollit financiar dhe atij operacional, me qëllim të rritjes së kapaciteteve të burimeve njerëzore, në sektorin bankar.

Në kuadër të aktiviteteve të përbashkëta, palët do të organizojnë trajnime dhe forume të natyrave shkencore e praktike që lidhen me problematikat e përbashkëta në fushat respektive.

Marrëveshja u nënshkrua nga Sekretari i Përgjithshëm i AAB-së, z. Spiro Brumbulli dhe Kryetari i Bordit të AIIA-s, z. Astrit Alijaj.