Fjala e Kryetarit të AAB-së në konferencën e dytë të Shoqatës Shqiptare të Bankave

15/11/2017



Shkëlqesia Juaj Z. Kryeministër Edi Rama,

Të nderuar Ministra,

I nderuar Guvernator Sejko,

Të nderuar përfaqësues të shquar të Bankës Botërore, FMN dhe BERZH

Të dashur kolegë,

Zonja dhe Zotërinj, mirëmëngjesi,

Është kënaqësia ime t’ju jap mirëseardhjen sot në Konferencën e Dytë Vjetore të Shoqatës Shqiptare të Bankave. Tema e konferencës “Bankat për rritjen ekonomike në Shqipëri” reflekton pikërisht misionin dhe vlerat e Shoqatës si një organizatë, dhe kontributin vital të sektorit bankar në rritjen ekonomike dhe prosperitetin e Shqipërisë. Duke u bazuar në axhendën dhe materialet e konferencës, pres që gjatë orëve në vijim pjesëmarrësit, përfaqësuesit e qeverisë, rregullatorët, ekspertët nga institucione ndërkombëtare dhe bankat të trajtojnë disa nga çështjet më të rëndësishme me të cilat përballet sektori bankar, të provokojnë diskutime dhe debate rreth mundësive, sfidave dhe kërcënimeve dhe të gjenerojnë ide premtuese për mënyrën se si bankat mund të vazhdojnë të luajnë një rol të pazëvendësueshëm në Shqipëri.

Zonja dhe Zotërinj,

Bazat ekonomike të ekonomisë premtojnë zhvillime me hapa të shpejta.

Më konkretisht,

Rritja e PBB-së parashikohet në nivelin 3.9 % deri në fund të vitit 2017, siç raportohet nga FMN-ja, e nxitur kryesisht nga zgjerimi i shpejtë i sektorit të turizmit dhe ndërtimit. Komisioni Europian, në parashikimin ekonomik të vjeshtës të enjten e kaluar, për shtetet anëtare të BE-së dhe vendet kandidate, ka parashikuar një normë rritjeje prej 4% të PBB-së në Shqipëri në vitin 2017.

Përmirësimi i punës dhe punësimi i vazhdueshëm po rimëkëmben. Shkalla e punësimit është rritur me 3.4% në fund të tremujorit të tretë dhe shkalla e papunësisë ka shënuar një rënie me 13.9%. Inflacioni pritet të jetë rreth 2 për qind nga viti në vit, deri në fund të vitit 2017.

Gjithashtu, borxhi publik parashikohet të shënojë një rënie nga 73.3% e PBB-së në fund të vitit 2016, në 71.5% në fund të vitit 2017.
Në vitin 2018, rritja pritet të shënojë një nivel mbi 4% në një periudhë afat-mesëm, pavarësisht nga parashikimet pesimiste të fundit të FMN-së.

Portofoli i kredisë për bizneset ka shënuar një ecuri pozitive gjatë tremujorit të tretë të vitit, përkatësisht në periudhën korrik-shtator. Kreditë retail vazhdojnë të rriten dhe t’i përgjigjen më mirë kërkesës. Lehtësia e kushteve të kreditimit, përmirësimi i aktivitetit ekonomik dhe gatishmëria e madhe e bankave për financimin e segmenteve të korporatave dhe të shitjeve me pakicë kanë ofruar mbështetje për rritjen e portofolit.

Kreditë me probleme kanë rënë ndjeshëm duke reflektuar strategjinë e guximshme dhe masat efikase taktike të bankave për mbledhjen e kredive me vonesë, për ristrukturimin e problematikave të vazhdueshme dhe për shlyerjen e kredive “të humbura”. Raporti më i fundit i Bankës së Shqipërisë ka verifikuar këtë prirje, duke njoftuar se raporti i kredive me probleme ka rënë në 14.8%, çka përfaqëson nivelin më të ulët që nga fillimi i vitit 2011, duke mbështetur pozitivisht fitimin e bankave.
Rënia e dukshme e kredive me probleme në bilancin e bankave, çka përfaqëson një arritje të dukshme, mbështet zhvillimet pozitive në sektorin bankar dhe të ekonomisë dhe përmirëson më tej kapitalizimin, likuiditetin dhe rentabilitetin e bankave.

Pavarësisht përmirësimeve pozitive, duhet ende të përballemi me sfida të tjera.

Pikërisht, janë ato sfida që FMN-ja i përshkruan në raportin e fundit mbi parashikimet ekonomike rajonale me titull “Evropa në hapat e saj”.

Sfidat e identifikuara nga Udhëzimet më të fundit në lidhje me Përmbaruesit Privatë, sfidat për rimarrjen dhe shitjen e kolateralit që i atribuohen procedurave të gjata gjyqësore, sfidat nga mungesa e ekonomive të shkallës, sfidat që përballemi si pasojë e tregut të ngushtë të shitjes së aseteve të ngurtësuara. Siç jeni në dijeni, kompanitë e menaxhimit të aseteve të ngurtësuara preferojnë tregje me nivele më të larta kredish me probleme, si Greqia dhe Italia, krahasuar me tregun e vogël shqiptar. Strategjia për uljen e nivelit të kredive me probleme duhet të përfshijë masa rigoroze për përmirësimin e përshpejtimit të procedurave gjyqësore dhe zbatimin me kohë të vendimeve gjyqësore.

Zonja dhe Zotërinj,

Pavarësisht nga çështjet dhe sfidat e mësipërme, mund t’ju konfirmoj se industria bankare shqiptare sot gëzon qëndrueshmëri të plotë financiare, me likuiditet dhe kapitalizim optimal; elemente të cilat janë parakushte kyçe për financimin e zhvillimeve ekonomike në vend.

Në këtë kontekst premtues dhe moment tepër të rëndësishëm, ligjet, politikat dhe rregulloret duhet të përpiqen të trajtojnë të gjitha sfidat e mësipërme, si dhe problematikat që lindin nga borxhi publik, nivelin e ulët të kredive dhe institucionet dhe administratën e dobët publike, të cilat pengojnë investimet.

Aktualisht, ajo që e bën mjedisin politik të veçantë është fakti se qeveria ka një mandat të pastër zgjedhor. Kjo është me të vërtetë një mundësi unike për vijimësinë e reformave strukturore dhe për krijimin e një mjedisi të ndryshëm me kompetenca të mjaftueshme për të përqafuar investimet ekzistuese dhe për të përthithur investime të reja. Sektori bankar vlerëson dhe mbështet fuqishëm iniciativat dhe përpjekjet e qeverisë për të gjitha reformat; reformat e sistemit gjyqësor, reformat kundër informalitetit, për sektorin e energjisë, për kontrollin e territorit, për arsimin.

Ndërkohë,

Bankat dhe aktorë të tjerë të interesit në sektorin financiar janë të etur të shohin më shumë rezultate, veçanërisht në lidhje me:

  • Regjistrin e pasurive, i cili do të krijojë bazën për kreditë e justifikuara nga ana e bankave, duke shmangur kësisoj rreziqe të panumërta nga statusi i paqartë ligjor i pasurive të marra si kolateral.
  • Zbatimi i vendimeve gjyqësore dhe i masave anti-korrupsion, duke rritur besimin në sistemin e drejtësisë dhe në administratën shtetërore.
  • Taksimi, me qëllim miratimin e standardeve më të mira ndërkombëtare dhe rritjen e integritetit të praktikave të administrimit të taksave.
  • Miratimi dhe huazimi i akteve nën-ligjore sipas ligjit të ri të Falimentit.
  • Zëvendësimi i udhëzimeve të fundit të 30 qershorit, të Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Drejtësisë në lidhje me Përmbaruesit, për aplikimin e tarifave transparente dhe të drejta sipas praktikave më të mira ndërkombëtare.
  • Formalizimi i ekonomisë për një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe zhvillimin e biznesit.
  • Aktorët strategjikë mospërmbushës

Pikat e mësipërme janë përbërësit dhe shtyllat thelbësore për një mjedis të qëndrueshëm ekonomik, një mjedis për rritje dhe prosperitet.

Zonja dhe Zotërinj,

Ne ndihemi krenarë të shprehemi se drejtojmë një sektor i cili është deri diku i rregulluar, sektori më i formalizuar në vend me një total asetesh prej 92% të PBB-së. Ne jemi shumë të kënaqur të pohojmë se jemi lokomotiva e ekonomisë me kontribut në të gjithë sektorët. Jemi të nderuar të pohojmë se sektori bankar ka një Përgjegjësi Sociale të veçantë të Korporatave. Bankat në Shqipëri nuk kanë gjeneruar asnjë krizë, madje kanë kontribuar në zhvillimin dhe stabilitetin e ekonomisë dhe nxitjen e prosperitetit të shoqërisë. Ky kontribut i veçantë do të prezantohet sot gjatë sesionit të parë.

Pas këtyre që përmenda, do të doja të theksoja se sektori bankar po kërkon të shndërrohet në një partner të besueshëm për Qeverinë, për mbështejtjen e zhvillimit të ekonomisë Shqiptare dhe përmirësimin e klimës së biznesit dhe cilësinë e jetës së Shqiptarëve.

Kemi nevojë për një vizion më të gjerë, më shumë optimizëm dhe më shumë mundësi për të zhvilluar dhe për të kontribuar më tej në rritjen ekonomike. Është e domosdoshme që bankat të rriten dhe të veprojnë në një ambient miqësor dhe të qëndrueshëm politik dhe ekonomik.

Për ta arritur këtë, aktorët e ekonomisë dhe bankat duhet të punojnë së bashku drejt një vizioni dhe drejtimi të vetëm; rritja e suksesshme dhe e qëndrueshme, mjedisi i sigurt, i mbrojtur dhe pa probleme për biznesin. Bashkëpunimi është një investim real që zhvillon vlera të çmuara dhe sjell rezultate unike.

Është thelbësore që të punojmë së bashku sot, jo nesër.

Para nesh është shpalosur një mundësi unike për të punuar së bashku si partnerë të besueshëm, për t’i injektuar ekonomisë financime nëpërmjet projekteve të infrastrukturës publike, të njohura si Partneritete Publike dhe Private. Kjo e fundit do të diskutohet sot gjatë sesionit të dytë.

Në këtë kontekst, më lejoni të pranoj që ne, bankat, jemi në gjendje të kombinojmë vizionin me realizmin, të krijojmë inovacione, të bashkojmë politikat me investimet, të konvertojmë përvojën dhe njohurinë tonë ndërkombëtare në praktika dhe mundësi lokale.

Në përmbyllje të fjalës sime, unë uroj shumë suksese në diskutimet tona të sotme dhe ju ftoj të gjithëve që të merrni pjesë aktivisht në konferencë dhe të shfrytëzoni mundësitë e ofruara për ide, sugjerime, pyetje dhe komente. Gjithashtu, përfitoj nga kjo mundësi për të shprehur mirënjohjen time për sponsorin gjeneral të konferencës, EFSE Development Facility.

Në këtë kuadër, jam shumë i lumtur të hap këtë konferencë të dytë vjetore të Shoqatës Shqiptare të Bankave dhe të mirëpres në panel Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko.

Faleminderit!