Fjala e Kryetarit të AAB-së në Darkën e Vitit të Ri të Shoqatës Shqiptare të Bankave

21/12/2017



I nderuar Guvernator, z. Sejko,
Të nderuar pjesëmarrës,
Zonja dhe zotërinj,

Mirëmbrëma dhe mirë se erdhët në këtë darkë të fund vitit të Shoqatës Shqiptare të Bankave (AAB). Z. Guvernator, Ju falënderoj që na nderuat me pjesëmarrjen Tuaj. Është kënaqësi e veçantë që jemi të gjithë së bashku këtu sonte. Prania Juaj e nderuar i jep edhe më shumë dritë kësaj tradite të mrekullueshme, e cila trashëgohet prej më shumë se 12 vitesh, duke e transformuar këtë darkë në një veprimtari të përvitshme me rëndësi të veçantë.
Edhe pse kjo mbrëmje nuk është mbrëmja e fjalimeve, por për të festuar fundin e një viti mjaft të suksesshëm dhe për të shijuar një darkë në shoqëri të mrekullueshme, më lejoni të prezantoj shkurtimisht AAB dhe rolin e saj në sektorin tonë.

Që nga themelimi i saj, AAB ka përparuar së tepërmi, duke pasqyruar rritjen dhe transformimin e pazëvendësueshëm të sektorit bankar duke luajtur një rol të konsiderueshëm dhe shumë të rëndësishëm në rritjen ekonomike dhe prosperitetin e Shqipërisë. Gjatë këtyre viteve, AAB dhe sektori bankar kanë zhvilluar një partneritet gjithëpërfshirës dhe tejet bashkëpunues. Ky i fundit është zemra e etosit të industrisë sonë.
Ne konkurrojmë njëri-tjetrin, por në dimensione më të gjera ne bashkojmë forcat tona për arritjen e një niveli të plotë mirëkuptimi, për zgjidhje të pranueshme për të gjithë palët e interesit, për krijimin e kushteve sa më të favorshme. Ky etos dallues ka qenë vendimtar dhe na ka orientuar në drejtimin e duhur në ato periudha plot sfida të krizës financiare rajonale dhe globale. Motoja jonë “Bankat flasin me një zë” nënkupton unitet, bashkëpunim dhe zhvillim. Kjo më kujton një thënie të famshme: “Askush nuk mund të luajë simfoni me fërshëllima. Vetëm një orkestër e tërë mund ta luajë atë”. Angazhimi i lartë i çdo individi drejt një përpjekje kolektive ndërton punën në grup, punën brenda shoqërisë tregtare, punën brenda sektorit, punën në shoqëri dhe punën e një kombi.
Në këtë kontekst, jam shumë i nderuar dhe mirënjohës për kontributin e dy paraardhësve të mi, ish kryetarëve, z. Seyhan dhe z. Christian, të cilët zhvilluan ato strategji falë të cilave AAB arriti në standardet e ditëve të sotme.

Zonja dhe zotërinj,
Viti 2017 shënon një tjetër vit të suksesshëm që i shtohet historisë sonë bankare, duke sinjalizuar një trend pozitiv të rritjes ekonomike, qëndrueshmërisë financiare dhe rijetësimit të ekonomisë. Rënia e NPL-ve në shkallën 14.5%, në nivelet e vitit 2010, është rezultati më pozitiv i periudhës pas krizës. Rentabiliteti i këtij sektori është përmirësuar ndjeshëm, ku ROE shënoi nivelin më të lartë që nga viti 2007.
Gjithashtu, ky vit ka qenë i suksesshëm edhe për sa i përket bashkëpunimit tonë konstruktiv me të gjitha institucionet dhe aktorët e tjerë: komisionet parlamentare, ministritë, Bankën e Shqipërisë dhe mediat. Por, për mendimin tim, disa gjëra mund të ishin bërë edhe më mirë, për shembull në lidhje me udhëzimet për tarifat e përmbaruesve dhe masat shtesë të sigurisë për degët e bankave.
Ky vit ka qenë i rëndësishëm edhe për Shoqatën tonë. Prania jonë në media dhe organizimi shumë i suksesshëm i aktiviteteve përmes përfaqësimit të nivelit të lartë, siç është konferenca “Bankat dhe rritja ekonomike”, forumi “Veprimtaria bankare për individë”, forumi për Burimet Njerëzore në Bankingun Digjital dhe forumi i Auditorëve të Brendshëm: “Përgjegjshmëria ndaj grupeve të interesit”, kanë treguar kapacitetet e AAB në organizimin dhe koordinimin e forumeve të standardeve më të larta që kontribuojnë ndjeshëm në zhvillimin e sektorit të shërbimeve financiare.
Dokumentet e shkruara janë instrumenti më efektiv dhe thelbësor për komunikimin dhe përcjelljen e punimeve shkencore, kërkimeve, opinioneve dhe botimeve që plotësojnë mësimdhënien, trajnimet dhe, mbi të gjitha, edukimin e publikut. Botimet përbëjnë trashëgiminë dhe themelet tona për një të ardhme plot dritë. Në këtë aspekt, botimet e AAB-së, si për shembull raporti vjetor, raporti i CSR-së dhe botimi periodik “Bankieri” kanë luajtur një rol të madh, duke e pozicionuar AAB-në si aktor kyç në edukimin financiar.
Gjatë vitit 2017 u krye një studim mbi kontributin e bankave në ekonomi dhe shoqëri, çka përbën një tjetër urë komunikimi me publikun dhe shoqërinë. Ky i fundit do të publikohet së afërmi.
Në këtë kontekst, ju ftoj të gjithëve të nxisim punonjësit tanë që të fillojnë t’i hedhin gjërat në letër, të shprehin mendimet e tyre profesionale dhe të publikojnë punimet dhe kërkimet e tyre shkencore në botimet tona. Kjo do të jetë një mbështetje e madhe edukative për industrinë tonë.
Po ashtu, AAB nuk ka humbur kurrë interesin për trajnimet dhe edukimin financiar. Ky vit ka shënuar organizimin e 25 trajnimeve ku janë trajnuar 343 punonjës të bankës, duke hulumtuar për temat më të rëndësishme të industrisë sonë. Organizimi i Javës së Parasë në muajin mars, për shumë aktivitete të zhvilluara së bashku me Bankën e Shqipërisë, ka kontribuar në konsolidimin e një tradite që e ka renditur Shqipërinë si një nga vendet më aktive të Evropës për edukimin financiare. Ne jemi shumë krenarë të bëjmë të ditur sot se kjo e fundit është konfirmuar edhe nga Federata Evropiane e Bankave.

AAB mbetet e fokusuar për t’i shërbyer inovacionit dhe praktikave më të mira në sektorin bankar. Shumë nga aktivitetet tona synojnë të përcaktojnë dhe pranojnë dimensionet e transformimit digjital, edukimin e punonjësve të bankave përmes njohurive të reja për revolucionin e katërt, revolucionin digjital që i jep formë të ardhmes së sektorit bankar. Ka edhe shumë tema të tjera delikate që kemi trajtuar dhe do të trajtojmë në të ardhmen; digjitalizimi i aktiviteteve bankare, teknologjia e monedhës digjitale, PSD2, GDPR, zbatimi i SNRF 9, kualifikimi bashkëkohor për luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, kapacitetet e menaxhimit të drejtuesve të rinj, etj.

AAB është përfshirë edhe në projekte të tjera, të cilat po shqyrtohen rishtazi, si për shembull krijimi i sistemit të brendshëm të pagesave në euro, debiti i drejtpërdrejtë, byroja e kredive, zhvillimi i tregut të titujve të qeverisë e kështu me radhë. Po ashtu, pritet të kryhen disa rregullime në kuadrin ligjor dhe rregullator ekzistues për trajtimin fiskal të kredive me probleme, mjetet e riposeduara, ndikimet fiskale të SNRF 9, etj.

Në këtë drejtim, ndërtimi i një partneriteti të shkëlqyer midis AAB-së dhe bankave, premtimi për një industri bankare të qëndrueshme, me baza të shëndosha financiare dhe në zhvillim përbën një nga elementet më pozitive për të ardhmen. AAB do të vazhdojë të mbështesë katër shtyllat e misionit të saj: përmirësimin e kuadrit ligjor dhe rregullator, trajnimin dhe edukimin financiar, transformimin digjital dhe komunikimin publik. Industria bankare, sektori më transparent dhe më i rregulluar, do të vazhdojë t’i shërbejë rritjes ekonomike përmes produkteve dhe shërbimeve cilësore, dhe shoqërisë përmes përgjegjësisë sociale të korporatave, duke arritur objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm, pavarësisht se shpesh gjendet mes debateve të pajustifikuara politike të cilat krijojnë efekte të dëmshme të drejtpërdrejta në industrinë tonë dhe gdhendin një opinion dhe reputacion të përgjithshëm negativ në sytë e mediave dhe publikut. Ne rekomandojmë se duhet të ruajmë neutralitetin tonë në diskutime dhe deklarata të tilla, në dobi të stabilitetit të sektorit dhe në përfitim të shoqërisë.

Para se të përfundoj fjalën time përshëndetëse, dua të shpreh vlerësimet e mia më të sinqerta për anëtarët e Bordit, bankat anëtare, partnerët tanë dhe të gjithë aktorët e tjerë. Një vlerësim i veçantë shkon për Guvernatorin dhe të gjithë stafin drejtues të Bankës së Shqipërisë, me të cilët kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyeshëm dhe produktiv gjatë këtij viti. Një falënderim i veçantë shkon për kryetarët dhe anëtarët e komiteteve dhe grupeve të punës së AAB-së. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, dëshiroj, gjithashtu, të falënderoj stafin e AAB-së dhe veçanërisht Sekretarin e Përgjithshëm z. Spiro Brumbulli për angazhimin dhe përkushtimin e tyre. Entuziazmi dhe gatishmëria e tyre për të organizuar forume, trajnime, dhe për rezultate sa më të larta, shkon përtej detyrave të tyre funksionale.

Zonja dhe zotërinj,
Në prag të sezonit festiv dhe festave të fund vitit, më lejoni t’ju shpreh urimet e mia më të ngrohta dhe më të sinqerta për një Vit të Ri të lumtur dhe të begatë për ju dhe familjet tuaja.
Ju uroj të gjithëve të kaloni sa më gëzuar gjatë kësaj mbrëmje!

Ju lutem, më lejoni t’i jap fjalën Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, zotit Gent Sejko.

Ju faleminderit!