Reforma në drejtësi, një parakusht për investime të huaja në Shqipëri

23/05/2016

When:
May 23, 2016 @ 3:38 pm – 4:38 pm
2016-05-23T15:38:00+00:00
2016-05-23T16:38:00+00:00

Fjala e Kryetarit të Shoqatës Shqiptare të Bankave, z. Christian Canacaris në konferencën me temë “Reforma në drejtësi, një parakusht për nxitjen dhe tërheqjen e investimeve të huaja në Shqipëri”, organizuar nga Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA) në bashkëpunim me Delegacionin e Bashkimit Europian, 23 maj 2016

Të Nderuar Zonja dhe Zotërinj,

Reforma në Drejtësi është tashmë një sfidë aktuale dhe me një rendësi të veçantë. Të gjithë jemi te ndërgjegjshëm që realizimi i saj është faktor kyç dhe një hap i rëndësishëm në kuadrin e të gjitha reformave që qeveria shqiptare  po ndërmerr për përshpejtimin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Kjo reformë do të ketë gjithashtu ndikim dhe rol të rëndësishëm edhe në sigurimin e një mjedisi të sigurt të të bërit biznes, i cili do të tërhiqte investitorët e huaj të investojnë në Shqipëri, duke kontribuar kështu në zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë shqiptare.

Në këtë kuadër, një rol të rëndësishëm ka edhe sistemi bankar. Bankat janë jo vetëm “motorë” të rëndësishëm të zhvillimit të ekonomisë shqiptare madje një pjesë e konsiderueshme e tyre përfaqësojnë gjithashtu dhe investime të huaja dhe janë partnere mjaft serioze në Shqipëri.

Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm për çështjen  e moskthimit të kredive si dhe nivelin e lartë të kredive të këqija, probleme me të cilat po përballen bankat sot. Këto probleme kërkojnë zgjidhje sa më të shpejtë me qëllim rritjen e kreditimit të ekonomisë dhe rritjen në këtë mënyrë të investimeve të brendshme dhe të huaja.

Përveç përpjekjeve te integruara dhe masave te marra nga Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me  Bankat e nivelit të dytë, një faktor që ndikon në procesin e ekzekutimit të kolateraleve është edhe sistemi i drejtësisë. Një proces efikas i ekzekutimit te kolateraleve  do të ndikonte në përmirësimin e NPL-ve ne sistemin bankar e si rrjedhim do të shërbente në përmirësimin e klimës së biznesit dhe kreditimit të tij nga ana e bankave.

Shqipëria është një vend me potenciale të mëdha dhe mjaft tërheqës për investitorët. Në këtë kuadër, është e rëndësishme që të këtë një mjedis të sigurt juridik dhe një zbatim të drejtë të legjislacionit. Një mjedis i sigurt do të rriste besimin e investitorëve për të investuar në Shqipëri dhe njëkohësisht  bankat do të ndjehen më të sigurta në kreditimin e këtyre investitorëve.

Por ky mjedis garantohet pikërisht nga një sistem gjyqësor i pavarur, i drejtë dhe i paanshëm. Në këto kushte, është e domosdoshme marrja e masave për përmirësimin e sistemit gjyqësor me qellim:

  • Sigurimin e një gjykimi sa më të shpejtë dhe brenda afateve ligjore të parashikuara nga legjislacioni në Shqipëri. Zgjatja e gjykimeve përtej afateve dhe me vite krijon pasoja negative të drejtpërdrejta në ekzekutimin e kolateraleve.
  • Garantimin e një vendimmarrjeje të paanshme dhe ligjore me qëllim rritjen e besimit të palëve tek gjyqësori.

Ne kemi besim se nëpërmjet Reformës në Drejtësi do të sigurohet marrja e këtyre masave dhe do të rritet besimi në sistemin gjyqësor shqiptar. Reforma në Drejtësi duhet parë si një detyrim që secili nga ne ka për zhvillimin e vendit. Kjo reformë është një sfidë kyçe për të përshpejtuar anëtarësimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

Ndërkohë për Bankat, kjo reformë do të jetë garancia për një kreditim të shëndetshëm dhe siguria për kthimin nga debitorët e këqinj të parave të depozituesve shqiptare të cilët kanë besuar te bankat kursimet e tyre si dhe investimin e sigurt të këtyre kursimeve.

Të Nderuar Zonja dhe Zotërinj,

Ju ftojmë të mbështesim realizimin sa më parë të kësaj Reforme duke ju siguruar se Bankat, si në çdo iniciativë tjetër që është ndërmarrë për zhvillimin ekonomik të vendit, do të japin mbështetjen e tyre në përmirësimin e kuadrit ligjor që rregullon procesin e ekzekutimit të kolateraleve dhe rritjen kësisoj të kreditimit të investitorëve  të huaj.