Java Globale e Parasë (10-17 mars, 2014)

10/03/2014

When:
March 10, 2014 @ 10:55 am – March 17, 2014 @ 11:55 am
2014-03-10T10:55:00-01:00
2014-03-17T11:55:00-01:00
Where:
Tiranë
Shqipëria

Shoqata Shqiptare e Bankave mbështet Bankën e Shqipërisë në organizimin e Javës Globale të Parasë (10-17 mars)

Në kuadër të Javës Globale të Parasë, Shoqata Shqiptare e Bankave bashkëpunon me Bankën e Shqipërisë në organizimin e disa aktiviteteteve edukuese. Java Globale e Parasë është një festë e përvitshme e cila organizohet në mbarë globin nën koordinimin e organizatës “Child and Youth Finance International (CYFI)”. Gjatë kësaj jave, do të organizohen aktivitete të cilat kanë për qëllim të mësojnë fëmijët se si të kujdesen për paratë, përfshirë kursimin dhe të ardhurat.

Shfaqja teatrore “Çufo dhe Tipi-Një aventurë me verdhushka” hapi siparin e këtyre aktiviteteve. Gjatë ceremonisë së organizuar me këtë rast në Teatrin e Kukullave, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, nënshkroi një memorandum bashkëpunimi me Kryetarin e Shoqatës Shqiptare të Bankave, z. Seyhan Pencabligil. Qëllimi i këtij memorandumi është nxitja e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, në fushën e edukimit financiar. Banka e Shqipërisë dhe Shoqata e Bankave janë angazhuar në edukimin financiar të publikut nëpërmjet aktiviteteve të shumta, publikimit të broshurave edukative, modulit me zgjedhje të lirë për nxënësit e shkollave të mesme “Financat personale në duart tuaja” si dhe paketës mësimore “1, 2, 3 … derrkuci Çufo mëson të kursejë”.

Gjatë ceremonisë së zhvilluar me këtë rast, Guvernatori Fullani theksoi rëndësinë e edukimit financiar të publikut dhe angazhimin serioz të Bankës së Shqipërisë në këtë drejtim.

Kryetari i Shoqatës së Bankave, z. Pencabligil përmendi rëndësinë e përfshirjes së Shqipërisë në këtë lëvizje globale. “Shoqata është e lumtur të nënshkruajë Memorandumin e Bashkëpunimit, i cili është formalizimi dhe dokumentimi i bashkëpunimit të Shoqatës Shqiptare të Bankave me Bankën e Shqipërisë, me qëllim promovimin e edukimit financiar tek fëmijët, të rinjtë dhe popullsisë në përgjithësi. Me nënshkrimin e këtij Memorandumi, Shoqata angazhohet për aktivitete të mëtejshme në fushën e edukimit financiar.” tha ndër të tjerat z. Pencabligil në fjalën e tij.

Aktivitete të tjera të planifikuara në kuadër të Javës Globale të Parasë, janë mundësimi i vizitave të nxënësve në filialet e bankave tregtare në Tiranë dhe në rrethe, leksione në shkolla të mesme dhe universitete, shpërndarja e broshurave edukative, dhe konkursi për fëmijët e shkollave fillore me vizatime më temë “Paraja ime”, fituesit e të cilit do të përfitojnë çmime  të ofruara nga bankat tregtare.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedIn

Foto