Forumi shqiptar për sigurinë bankare

31/01/2012

When:
January 31, 2012 @ 1:58 pm – 2:58 pm
2012-01-31T13:58:00-01:00
2012-01-31T14:58:00-01:00
Where:
Tiranë
Shqipëria

Forumi Shqiptar për Sigurinë Bankare, i organizuar nga Shoqata Shqiptare e Bankave dhe Komiteti i saj për Sigurinë Bankare zhvilloi punimet e tij në datë 31 Janar 2012, në Hotel Kotoni, Tiranë.

Në këtë forum u diskutua mbi çështje organizative të strukturave të Sigurisë, bazën ligjore që rregullon këtë fushë si dhe tendencat e grabitjeve dhe perspektivat e zbulimit të tyre. Forumi pati si qëllim rritjen e nivelit të bashkëpunimit ndërmjet aktorëve dhe operatorëve të përfshirë në çështjet e sigurisë bankare, jo vetëm në territorin Shqiptar, por edhe më gjerë.

Në këtë kontekst, në Forum pati të ftuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, nga Shoqëritë e Ruajtjes së Sigurisë Fizike (SHRSF), përfaqësues të Kompanive që projektojnë, aplikojnë dhe mbështesin me sisteme të mbrojtjes elektronike. Të ftuar special në këtë aktivitet ishin përfaqësuesit e strukturave të sigurisë fizike të bankave ProCredit, Raiffeisen dhe Banka për Biznes, të shtetit të Kosovës.

Ky Forum u organizua për herë të parë në Shqipëri, me iniciativën e Kryesisë së Komitetit të AAB-së për Sigurinë Bankare dhe mbështetjen e Sekretariatit të AAB-së. Në fjalën e mirëseardhjes, zj. Endrita Xhaferaj, Sekretare e Përgjithshme e AAB-së, theksoi nevojën për një ndërveprim dhe angazhim më cilësor të palëve (bankave dhe strukturave të policisë) për parandalimin e rasteve kriminale, dhe garantimin e kushteve normale të punës së aktivitetit bankar.

Seksioni i parë i aktivitetit filloi me prezantimin e z. Bajram Ibraj, Drejtues i Departamentit të Sigurisë Fizike, Intesa Sanpaolo Bank njëkohësisht dhe Kryetar i Komitetit të AAB-së për Sigurinë Bankare, i cili referoi mbi mënyrën e organizimit dhe funksionimit të Komitetit të AAB-së për Sigurinë Bankare, për aktivitetin e zhvilluar deri më tani si dhe objektivat e këtij të fundit për të ardhmen.

Një interes të veçantë pati edhe prezantimi që solli në forum z. Alfred Agastra, Shef i Sektorit të Vjedhjeve me Armë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, ku paraqiti statistika për vjedhjet në banka, disa veçori që karakterizojnë këto vepra penale, tendencën e këtij fenomeni si dhe importimin e krimit nga vendet e tjera.

Seksioni i dytë, i moderuar nga Z. Roland Tashi, Zv. Kryetar i Komitetit të AAB-së për Sigurinë Bankare, dhe Koordinator i sigurisë në ProCredit Bank, filloi me prezantimin e z. Qirjako Taçe, Drejtues i Departamentit të Sigurisë, Union Bank, i cili theksoi rëndësinë e menaxhimit të sigurisë në banka, bëri një analizë të përgjithshme dhe nxori konkluzione mbi disa veçori të grabitjeve në vend.

Gjithashtu, pati prezantime mjaft interesante nga përfaqësuesit sigurisë së bankave në Kosovë, të cilët ndër të tjera trajtuan mënyrën e organizimit dhe funksionimit të strukturave të sigurisë në këto banka, format dhe mënyrat e bashkëpunimit me institucionet e rendit dhe prokurorisë, si dhe tendencat e veprave kriminale në Shtetin e Kosovës. Gjatë prezantimit të tij, z. Kreshnik Halilaj, Drejtor i Departamentit të Sigurisë, Raiffeisen Kosovë, theksoi dhe argumentoi nevojën e funksionimit të një strukture të re, unike, që ndjek çështjet e sigurisë në banka, e cila të ketë në vartësi gjithë operatorët që ndjekin çështjet e sigurisë në bankë, përfshi këtu ato informatike, ato të kujdesit në punë, etj.

Përfaqësuesit e SHRSF-ve, trajtuan problemin e rritjes së bashkëpunimit ndërmjet tyre, bankave dhe Policisë së Shtetit si dhe shtruan nevojën e ndryshime të mundshme ligjore lidhur me organizimin dhe licencimin e këtyre shoqërive, duke trajtuar në mënyrë të veçantë kërkesat dhe përcaktimet ligjore për ato që u ofrojnë shërbime sigurie bankave. Z. Jani Angjeli, përfaqësues i Shoqërisë AES COM prezantoi një material me temën “Sistemet e sigurisë dhe mbrojtjes elektronike”, ku u nënvizua nevoja e integrimit të sistemeve të sigurisë, aplikimi i sistemeve të reja bashkëkohore, menaxhimi dhe administrimi i të dhënave nëpërmjet qendrave të monitorimit.

Forumi u vlerësua maksimalisht nga te ftuarit dhe pjesëmarrësit, të cilët ranë dakord që ky forum duhet të pasohet me aktivitete të tjera të ngjashme të një niveli edhe më të gjerë pjesëmarrjeje.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedIn

Foto