AAB dhe DPPPP organizojnë Tryezë Diskutimi “Mbi problematikat dhe shqetësimet e hasura gjatë 6 – mujorit të parë të vitit 2014”

29/07/2014

When:
July 29, 2014 @ 10:20 am – 11:20 am
2014-07-29T10:20:00+00:00
2014-07-29T11:20:00+00:00
Where:
Tiranë
Shqipëria

Tiranë, 29 Korrik 2014 – Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP), organizuan në ambjentet e AAB-së, një tryezë diskutimi me temë: “Mbi problematikat dhe shqetësimet e hasura gjatë 6 – mujorit të parë të vitit 2014”. Në këtë takim morën pjesë Z. Genti Gazheli, Drejtor i Përgjithshëm i DPPPP-së, Z. Agim Ismaili, Përgjegjës i Sektorit të Analizave në DPPPP, dhe përfaqësues të tjerë të DPPPP-së; përgjegjësit e departamenteve të përputhshmërisë dhe specialistë në çështje të parandalimit të pastrimit të parave në bankat tregtare; Zj. Mirjana Goxharaj, Përgjegjëse e Sektorit të Përputhshmërisë dhe AML në Departamentin e Mbikëqyrjes dhe  Z. Andi Habilaj nga Banka e Shqipërisë.

Në fjalën e tij të hapjes Z. Gazheli, falënderoi AAB-në dhe përfaqësuesit e bankave për  organizimin e këtij takimi dhe shprehu dhe një herë qëndrimin dhe gatishmërinë e drejtorisë që ai përfaqëson për të bashkëpunuar me sistemin bankar duke theksuar vendosmërinë e Autoritetit për të zbatuar në mënyrë rigoroze kuadrin rregullator. Z. Gazheli tha se ky takim u kërkua nga DPPPP-ja në vijim të analizës 6 mujore të bërë nga kjo drejtori, sipas të cilës është konstatuar një ulje e RAD-ve të dërguara nga banka të veçanta të sistemit.

Z. Maluta, përfaqësues i Kryesisë së Komitetit të Përputhshmërisë së AAB-së, u shpreh se dhe sistemi bankar vlerëson së tepërmi bashkëpunimin e deritanishëm dhe se padyshim fakti i uljes së RAD-ve vjen si rrjedhojë e përmirësimit dhe perfeksionimit të sistemeve për këto raportime.

Duke vijuar më tej me axhendën, të pranishmit diskutuan mbi shqetësimin e bankave lidhur me afatin 48-orësh të bllokimit të llogarive të klientëve, duke shprehur nevojën për ndryshimin e tij në 24 orë; kryerjen e veprimeve vetëm në Zyrat e Këmbimeve Valutore të cilat janë të licensuara nga Banka e Shqipërisë, si dhe nevojën për trajnime të vazhdueshme të punonjesve të degëve të bankave, për sa i përket marrjes së masave parandaluese, analizimeve dhe raportimeve të rasteve të dyshimta.

Foto