Generic selectors
Exact matches only
Search in title
Search in content
Çelet Java e Parasë

Gjatë javës 12-18 mars 2018, Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave dhe mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD), Junior Achievement (JA), Shërbimit Kombëtar për Rininë (SHKR), organizojnë aktivitete të larmishme për fëmijët dhe të rinjtë. Në thelb të këtyre aktiviteteve qëndron edukimi financiar, më konkretisht si ata të kujdesen për paratë, si të kursejnë, si të mendojnë financiarisht. Aktivitetet përfshijnë leksione, konkurse, vizita në Muzeun e Bankës së Shqipërisë dhe në banka tregtare, orë të hapura mësimore dhe konkurse për njohuritë financiare.

Në datën 12 mars 2018, në ambientet e Bankës së Shqipërisë, u çel Java e Parasë për vitin 2018. Aktiviteti u përshëndet nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, dhe Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, z. Silvio Pedrazzi.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Guvernatori Sejko theksoi angazhimin serioz të Bankës së Shqipërisë në edukimin financiar, përmes zbatimit të programeve edukative dhe hartimit të teksteve mësimore dedikuar arsimit fillor dhe atij të mesëm.

Ai nënvizoi gjithashtu moton e aktivitetit “Paraja: Ç’të mbjellësh, do të korrësh “, i cili thekson rëndësinë e çështjeve që lidhen me paranë. Guvernatori Sejko shtoi se përtej mesazhit që banka dëshiron të përçojë, vlerëson frymëzimin, origjinalitetin dhe të menduarit aktiv, si mënyra më efektive për përthithjen e kësaj teme sa komplekse, aq edhe të prekshme siç janë financat.

Kryetari i Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, z. Silvio Pedrazzi në fjalën e tij theksoi se fëmijët dhe të rinjtë duhet të marrin njohuri dhe të zhvillojnë aftësi për të marrë vendime të mençura financiare gjatë gjithë jetës. Nëpërmjet shumë aktiviteteve që do të zhvillohen gjatë kësaj jave, duke filluar nga orë mësimore, deri tek vizitat në banka dhe leksione me ekspertët e bankave, synohet përmirësimi i njohurive financiare nëpërmjet edukimit financiar sa më të mirë. Ky vit është i veçantë, sepse për herë të parë AAB bashkohet me nismën e Federatës Bankare Evropiane duke marrë pjesë në Quizin Evropian të Parave.

Më tej aktiviteti vijoi me ceremoninë e ndarjes së çmimeve për fituesit e tre konkurseve të para të organizuara nga Banka e Shqipërisë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave me rastin e Javës së Parasë.

Konkursi i parë ishte “Paraja: Ç’të mbjellësh, do të korrësh!” në të cilën morën pjesë nxënësit e klasave VI të shkollave 9-vjeçare, me projekte kreative, si vizatim, punë dore, të cilat përcjellin qartë konceptin e tyre të administrimit të parasë dhe u mbështet nga Raiffeisen Bank.
Konkursi i dytë i organizuar është ai i videos më të mirë. Konkursi ftoi nxënësit gjimnazistë të përcillnin me origjinalitet mesazhet e tyre për temën “Paraja: Ç’të mbjellësh, do të korrësh!” përmes një videoje prej jo më të gjatë se 2 min. Konkursi u mbështet nga American Bank of Investments
Konkursi i tretë i organizuar është ai i esesë më të mirë me temë “A përbën rrezik përdorimi i euros në transaksionet tregtare në Shqipëri?” dhe u mbështet nga banka Societe Generale Albania.

Gallery