Çelet Java e Parasë 2019

26/03/2019

Gjatë javës 25-31 mars 2019, Banka e Shqipërisë (BSh) dhe Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB), me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR), Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD) dhe ANFE organizojnë aktivitete të larmishme, duke synuar përfshirjen e një numri sa më të madh të rinjsh, me qëllim ndërgjegjësimin e tyre mbi çështje të edukimit financiar.

Në datën 25 mars 2019, në mjediset e Bankës së Shqipërisë, u çel Java e Parasë. Aktiviteti u përshëndet nga Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, zj. Luljeta Minxhozi, Zëvendësministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, zj. Lorena Haxhiu, dhe Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, z. Silvio Pedrazzi.

Në fjalën e saj përshëndetëse, zj. Minxhozi theksoi se Banka e Shqipërisë, si shumica e bankave qendrore në botë, ka marrë pozicion pro aktiv në përpjekjet për rritjen e kulturës financiare. Ky angazhim përputhet plotësisht me frymën e transparencës ndaj publikut e të rritjes së nivelit të ndërgjegjësimit të tij mbi çështje ekonomike e financiare që ndikojnë në jetën e përditshme të gjithsecilit.

Zj. Minxhozi nënvizoi gjithashtu moton e aktivitetit “Tepër i ri për të folur me Lekë të vjetër!”, duke adresuar një çështje specifike për vendin tonë, siç është përdorimi i gabuar, prej më shumë se 5 dekadash, i termave “lek i ri” dhe “lek i vjetër” në marrëdhëniet tona të përditshme financiare.

Kryetari i Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, z. Silvio Pedrazzi, në fjalën e tij vlerësoi rëndësinë e edukimit financiar si mjet për përfshirjen financiare. Me iniciative të AAB-së, në vitin 2018 u krijua Rrjeti Shqiptar për Edukimin Financiar (ANFE). Tashmë, ka ardhur koha që këto aktivitete të jenë pjesë e një strategjie të miratuar nga institucionet shtetërore dhe të ndiqen në vazhdimësi.

Pas fjalëve të rastit, aktiviteti vijon me shpërndarjen e çmimeve për fituesit e konkurseve të lançuara një muaj më parë nga BSh dhe AAB.
Konkursi i parë i organizuar në kuadër të kësaj jave mbante temën “Mëso. Kurse. Fito” dhe u mbështet nga Banka Kombëtare Tregtare (BKT). Në konkurs morën pjesë nxënës të klasave VI të shkollave 9-vjeçare.

Konkursi i dytë ishte ai me fotomontazhe me temë: “Tepër i ri për të folur me Lekë të vjetër: një 0 më shumë bën diferencën”, në të cilën morën pjesë nxënësit e klasave IX të shkollave 9-vjeçare. Konkursi u mbështet nga Credins Bank.

Ndërsa konkursi i tretë i organizuar ishte ai i videos më të mirë. Nxënësit gjimnazistë u ftuan të përcillnin me origjinalitet mesazhet e tyre për temën: “Tepër i ri për të folur me Lekë të vjetër” dhe çmimet u mbështetën nga American Bank of Investments.

Fituesit e konkursit për esenë më të mirë me temat “Ridenominimi i Lekut: vështrim socio-linguistik mbi një gabim 55-vjeçar” (Dega Gjuhë-Letërsi) dhe “Ridenominimet: shembuj nga historia dhe rasti shqiptar” (Dega Financë-Bankë), do të shpallen gjatë Javës së Parasë. Intesa Sanpaolo Bank Albania është mbështetës i këtij konkursi.