Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) dhe Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD) nënshkruajnë Marrëveshje Bashkëpunimi

18/12/2018



Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) dhe Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD), në datën 17 dhjetor 2018, nënshkruan Marrëveshjen e Bashkëpunimit midis tyre. Kjo marrëveshje përcakton fushat e bashkëpunimit mes dy palëve, si dhe mënyrat e ndërveprimit ndërmjet tyre, si: koordinimin e iniciativave të përbashkëta dhe krijimin e kushteve të favorshme për zhvillimin e skemës së sigurimit të depozitave; unifikimin e mënyrave për zbatimin e akteve ligjore dhe nënligjore për sigurimin e depozitave nga bankat anëtare të skemës; mbrojtjen e të drejtave të depozituesve dhe rritjen e besimit të publikut në sektorin bankar.

Gjithashtu, synohet shkëmbimi i përvojave profesionale në fushat përkatëse të interesit të përbashkët, shkëmbim të rregullt të informacionit, krijimin e grupeve të përbashkëta të punës për trajtimin e çështjeve të ndryshme, etj.

Në kuadër të aktiviteteve të përbashkëta, palët do të organizojnë seminare dhe konferenca të natyrave shkencore e praktike, leksione të hapura me nxënës dhe studentë si dhe fushata të edukimit financiar për sensibilizimin e publikut me skemën e sigurimit të depozitave në vend, etj.

Marrëveshja u nënshkrua nga Kryetari i AAB dhe Drejtor i Përgjithshëm i Intesa Sanpaolo Bank Shqipëri, z. Silvio Pedrazzi, dhe Drejtori i Përgjithshëm i ASD, z. Genci Mamani.

Foto